Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Drejtësia, Siguria dhe të Drejtat e Njeriut” (KSHNDSDN -FDUL 2025)
Më 8 maj 2025, në prag të Ditës së Europës dhe Ditës Kombëtare të Drejtësisë, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti Luarasi organizoi me sukses Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Drejtësia, Siguria dhe të Drejtat e Njeriut” (KSHNDSDN – FDUL 2025). Zhvillimi i kësaj konference në një datë kaq simbolike nënvizon përkushtimin e Universitetit Luarasi ndaj vlerave evropiane, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore të njeriut.
Konferenca mblodhi së bashku mbi 142 pjesëmarrës nga Shqipëria, rajoni dhe vendet e Bashkimit Evropian, përfshirë studiues të njohur, ekspertë të fushës, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe akademikë nga universitete prestigjioze, duke krijuar një platformë shumëdisiplinore diskutimi dhe shkëmbimi profesional.
Me 95 kumtesa shkencore të prezantuara, konferenca u karakterizua nga një larmishmëri temash dhe një nivel i lartë akademik. Organizimi i kësaj konference dëshmon për rolin aktiv të Universitetit Luarasi si një institucion i arsimit të lartë që promovon kërkimin shkencor dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit me aktorë të rëndësishëm akademikë e institucionalë brenda dhe jashtë vendit.
Kjo konferencë përbën jo vetëm një moment të rëndësishëm në kalendarin akademik të universitetit, por edhe një shprehje të qartë të vijueshmërisë së këtij angazhimi në përkrahje të zhvillimit të drejtësisë dhe integrimit europian të vendit.
Universiteti Luarasi mbetet i përkushtuar në misionin e tij për të nxitur dijen, profesionalizmin dhe integritetin akademik, në shërbim të shoqërisë dhe të së ardhmes europiane të Shqipërisë.
Pёr mё shumё:
Programi i Konferencёs (Shqip)